Havolli: Trotuari afër sallës “1 Tetori” transformohet-më shumë hapësirë për këmbësorë dhe gjelbërim në qytet
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka njoftuar për përfundimin e punimeve në një nga trotuaret pranë sallës sportive “1 Tetori”, i cili tashmë është funksionalizuar për përdorim të plotë nga qytetarët.
Në një ditë pushimi me mot të përshtatshëm për ecje, Havolli vizitoi punishten për të parë nga afër ndryshimin që ka pësuar ky segment rrugor. Dikur i bllokuar nga automjete, trotuari është shndërruar në një hapësirë të dedikuar vetëm për këmbësorët, e rrethuar me gjelbërim dhe të shtruar me kubëza.
Sipas tij, përveç aspektit estetik, vendosja e kubëzave ndihmon në menaxhimin e ujërave të shiut. Hapësirat ndërmjet tyre mundësojnë që uji të depërtojë në tokë duke reduktuar përmbytjet dhe duke përmirësuar rrjedhën natyrale të ujit gjatë reshjeve të mëdha.
Gjithashtu, projekti përfshin edhe shtimin e një shiriti të gjelbër me drunj dekorativ duke sjellë më shumë freski dhe bukuri natyrore në hapësirat publike të qytetit.
“Një hapësirë më shumë për njerëzit dhe për natyrën, më pak për veturat,” përfundoi Havolli në postimin e tij. /Kosova.info/
