Kallas: E rëndësishme që Kosova e Serbia t`i normalizojnë marrëdhëniet
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropianë, Kaja Kallas, nga Tirana, ka thënë se Kosova e Serbia nuk mund të kenë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies.
“Ajo që është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies ndërmjet këtyre dy vendeve. Dhe do të shkoj në Bosnje e Hercegovinë dhe do të takohem me të gjithë palët atje në mënyrë që të qetësohet situata atje”, tha Kallas.
Kallas tha se me Ramën kanë folur edhe për zhvillimet në rajon dhe tha se i vlerëson “këshillat dhe komentet” që Rama i ka dhënë për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe Kallas për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në krye të së cilit është, ka folur edhe dje gjatë vizitës së saj në Mal të Zi, ku ka thënë se Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje dhe se këtë muaj do të bëjnë analizimin së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
