Në shkollën `Dituria` në Shkabaj, mbahet ora e edukatës fizike në klasë

Në shkollën fillore “Dituria” në fshatin Shkabaj të Prishtinës, nxënësit dhe mësimdhënësit po përballen me mungesën e një salle sportive dhe kushteve elementare për zhvillimin e aktiviteteve fizike. Ata janë të detyruar që këtë lëndë ta zhvillojnë në klasë.

Nxënësit e shkollës fillore “Dituria” në Shkabaj, e cila gjendet vetëm 3 kilometra larg objektit të komunës së Prishtinës, tash e sa kohë, aktivitetet e lëndës së edukatës fizike i realizojnë në klasë. Kjo pasi ky objekt shkollor nuk posedon sallë sportive të brendshme.

“Këtu jemi duke luajtur ping pong për shkak se nuk kemi sallë sportive dhe fusha sportive jashtë nuk i ka kushtet elementare për aktivitetet fizike dhe sportive. E mbajmë orën e Edukatës Fizike brenda pasi që nëse ka mot me shi ose mot me borë, nuk mund ta zhvillojmë jashtë, por duhet ta mbajmë brenda”, tha një nxënës.

“Është shumë e vështirë. Tani ne e kemi një moshë që duam të dalim dhe bëjmë aktivitete fizike për trupin tonë, por tani veç me ndejt brenda gati çdo orë është tepër e vështirë”, u shpreh një nxënës tjetër.

Mësimdhënësja Diellza Dragusha, e cila udhëheq orët e edukatës fizike, thekson se mungesa e një salle sportive ka kufizuar mundësitë për t’i realizuar normat dhe programet që kërkohen për këtë lëndë. Ajo e tregoi edhe një ngjarje të fundit sportive, kur shkolla mori pjesë në një garë ping pongu, dhe mungesa e një salle të përshtatshme pengoi përgatitjet e duhura.

“Realisht është shumë vështirë, shkaku se herën e fundit kemi qenë në garat e ping pongut. Në këto gara kemi ushtruar, mirëpo klasa ka qenë ambienti i vetëm ku kemi mundur të realizojmë një garë të thjeshtë ping pongu në shkollë. Normalisht kemi qenë jo shumë të mirë sa i përket performancës për shkak të kushteve, mirëpo në gara të tjera mund të mos marrin pjesë fare”, deklaroi Dragusha.

Mungesa e sallës sportive shpeshherë ka penalizuar nxënësit, deklaroi drejtori i kësaj shkolle, Landrit Dragusha. Ai shtoi se në këtë shkollë ka mungesë edhe të kabinetit të informatikës.

“Shumë herë penalizohemi shkaku i mungesës së kabineteve dhe sallës së Edukatës Fizike. Po e marr shembull këtë javë, kemi garën në volejboll dhe ne nuk mund ta shfrytëzojmë asnjëherë sallën. Salla e jashtme është e pambuluar. Kur bie shi, ne duhet t’i futim nxënësit brenda dhe për ne është një dështim”, tha drejtori.

Ndërkaq, sipas një përgjigjeje për RTK-në nga Komuna e Prishtinës, duket se nuk pritet zgjidhje e shpejtë.

“SHFMU ‘Dituria’ në Shkabaj posedon terren sportiv të jashtëm dhe gjatë sezonit pranveror dhe veror, aktivitetet sportive zhvillohen në terren sportiv. Gjithashtu, ju njoftoj se Komuna e Prishtinës ka projektuar projekt për ndërtimin e shkollës së re dhe e ka buxhetuar në vijë buxhetore në vitet paraprake, por problem ka mbetur prona e cila nuk posedon fletë poseduese”, theksohet në përgjigjën e komunës.

Në objektin e shkollës “Dituria” në Shkabaj, mësojnë rreth 200 nxënës me vetëm 6 klasa gjithsej.

Go to TOP