Rama nderon Fadil Berishën me “Çelësin e Prishtinës”: Ambasador i kulturës dhe krenari kombëtare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar fotografin e njohur shqiptar me famë botërore, Fadil Berisha, me “Çelësin e Prishtinës”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës shqiptare dhe përfaqësimin dinjitoz të identitetit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Përmes talentit dhe pasionit të tij, Fadil ka ndihmuar në pasqyrimin dhe promovimin e bukurisë dhe kulturës shqiptare përtej kufijve, duke mbajtur gjallë historinë dhe identitetin tonë,” tha Rama gjatë ceremonisë.

Ai theksoi se Berisha ka qenë një figurë kyçe edhe në procesin e pavarësisë së Kosovës duke kontribuar nëpërmjet organizimit të ngjarjeve për mbledhje fondesh dhe duke qenë një zë i fortë për lirinë e vendit në botë.

“Ky çelës përfaqëson dyert që ai ka hapur për popullin shqiptar dhe urat që ka ndërtuar ndërmjet nesh dhe botës,” shtoi Rama duke e cilësuar Berishën si një simbol frymëzimi dhe krenarie kombëtare.

Fadil Berisha, i cili për vite me radhë ka fotografuar personalitete nga bota e modës, artit dhe politikës, u shpreh mirënjohës për nderin që i bëri qyteti i tij. Ai tha se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të përfaqësuar shqiptarinë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ceremonia u mbajt në një atmosferë festive dhe përplot emocione, ku të pranishëm ishin figura të njohura të kulturës, artit dhe shoqërisë civile.

“Je krenaria jonë!”, përfundoi Rama duke vlerësuar Berishën si një pasuri të kulturës shqiptare me ndikim të thellë ndërkombëtar. /Kosova.info/


Go to TOP