Havolli: Rritet intensiteti i punimeve në infrastrukturën e Prishtinës
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se vëllimi i punimeve në infrastrukturën e Kryeqytetit po rritet çdo ditë, veçanërisht me përmirësimin e kushteve atmosferike që po mundësojnë një intensitet më të lartë të punës në terren.
Në një postim në rrjetet sociale, Havolli theksoi se në rrugën “B” aktualisht po zhvillohen punime me intensitet të lartë, ndërkohë që bashkë me ekipet nga Drejtoria e Infrastrukturës po bëjnë mbikëqyrje të përditshme të të gjitha projekteve.
Ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme janë inspektuar nga afër edhe punimet në rrugën A, si dhe ato në rrjetin e kanalizimit në rrugën “Ibrahim Lutfiu”. Po ashtu, janë identifikuar vendet që kërkojnë ndërhyrje në rrugët “Holger Pedersen” dhe “Malush Kosova”.
Në vijim të vizitave në terren, janë inspektuar edhe rrugët “Xhavit Ahmeti” (ish-rruga e Bledit), “Shkelzen Haradinaj” në Kolovicë, dhe “Abedin Dino”, ku pritet që shumë shpejt të rifillojnë punimet për përmbylljen e projekteve infrastrukturore në këto zona. /Kosova.info/
