Inzaghi thotë se Milan është kundërshtar i rrezikshëm

Trajneri i Inter, Simone Inzaghi, ka paralajmëruar se Milan mund të jetë një kundërshtar i rrezikshëm për çdo ekip, duke kujtuar fitoren mbresëlënëse 3-1 ndaj Real Madrid në nëntor, në fazën e grupeve të Champions League. 

Në tre përballjet mes tyre këtë sezon, Milan ka triumfuar dy herë, ndërsa Inter ka arritur të nxirrte vetëm një barazim 1-1 në takimin e fundit në shkurt. Kjo i ka dhënë Milan epërsinë në këtë rivalitet 116-vjeçar para ndeshjes së parë të mërkurën.

E dimë që është një përballje që do të zgjasë 180 minuta”, ka thënë Inzaghi. “Kemi parë ndeshjen e fundit, derbit kundër nesh, si dhe atë ndaj Real Madrid. Milan është një ekip cilësor, i cili ka pasur disa vështirësi gjatë sezonit, por në ndeshje të veçanta ka treguar se mund të shqetësojë çdo kundërshtar. Do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm”. 

Inzaghi e ka pranuar se Inter ka pasur vështirësi këtë sezon në përballjet me Milan.

“E dimë që kemi pasur vështirësi këtë vit, veçanërisht në ndeshjen e parë. Dy të tjerat ishin të balancuara”, është shprehur ai në konferencën për shtyp të martën.

“Është një gjysmëfinale e Kupës së Italisë kundër Milan. Është një derbi dhe kemi një dëshirë të madhe për të zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer, duke pasur parasysh që do të përballemi me një kundërshtar cilësor, i cili këtë sezon na ka krijuar shumë probleme, jo vetëm neve.”

Trajneri i Inter ka theksuar edhe rëndësinë e këtij sezoni për skuadrën e tij.

“Objektivi ishte të mbërrinim në prill duke qenë ende në garë për të gjitha trofetë. E dimë që tani vjen pjesa më e vështirë, por është një burim krenarie që jemi ende në të gjitha kompeticionet”, ka thënë dyzet e tetë vjeçari.


Go to TOP