Tërmkolli: LDK po mbetet peng i interesave personale dhe krimit elektoral
Ish-deputetja dhe anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka bërë një reagim të ashpër ndaj drejtuesve aktualë të partisë duke i akuzuar për kapje të strukturave dhe për pengmarrje të partisë për interesa personale.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Tërmkolli i cilësoi drejtuesit aktualë si “tuxharë sorosianë” që kanë devijuar nga vlerat e vërteta të LDK-së dhe e kanë shndërruar partinë në një arenë përplasjeje të brendshme, në vend që të përballen me sfidat kombëtare dhe politike jashtë saj.
“Kah zyrat e LDK-së sot kalon veç turpi e marria politike e kombëtare! Këta, veç LDK nuk janë! Në këtë parti, lufta e vetme është kundër njëri-tjetrit, për shkak të mungesës së guximit për t’u përballur me partitë e tjera dhe mungesës së vullnetit për të punuar për Kosovën,” ka deklaruar ajo.
Sipas saj, sistemi elektoral brenda partisë ka eliminuar figurat më të rëndësishme dhe më atdhetare të LDK-së duke e sjellë partinë në një situatë të vështirë politike.
Tërmkolli ka qenë shpesh e njohur për kritikat e saj të hapura ndaj lidershipit të LDK-së duke kërkuar një rikthim të vlerave të vërteta të partisë dhe një reformë të thellë për të shpëtuar LDK-në nga, siç e quan ajo, degradimi politik. /Kosova.info/
