Haradinaj kritikon qeverinë: Po talleni me Policinë dhe Ushtrinë, keni sjellë braktisje dhe pasiguri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, duke e akuzuar se po neglizhon dhe po përbuz sektorët më të rëndësishëm të sigurisë në vend, Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka theksuar se institucionet përgjegjëse nuk po marrin përgjegjësitë e tyre, duke i lënë në harresë këta profesionistë që, sipas tij, mbajnë mbi supe sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Turpi vazhdon! Ata që janë përgjegjës për qeverinë, ministritë dhe agjencitë buxhetore, nuk marrin përgjegjësitë dhe tallen me sektorin më vital të shtetit, Policinë dhe Ushtrinë. U mohojnë paga të dinjitetshme, i përjashtojnë nga kompensimet për orët shtesë e ndërrimet e natës,” ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se siguria në Kosovë është bërë e brishtë e e luhatshme, si pasojë e veprimeve të pakoordinuara dhe mungesës së përkujdesjes për këto kategori.

“Çmimet e rritura, faturat e fryra dhe pagat e njëjta ia pamundësojnë punën e ndershme secilit, e sidomos këtyre kategorive që rrezikojnë jetën për vendin. Prandaj dëgjojmë çdo ditë për policë e ushtarë që po largohen nga detyrat e tyre fisnike për të siguruar mirëqenien e familjeve të tyre,” ka shtuar ai. /Kosova.info/


Go to TOP