Luku denoncon zvarritjen e informacionit: Komisionari i Mohimit të së Drejtës për Informim, 100 ditë peng për një raport publik

Gazetari Elvin Luku ka denoncuar publikisht, përmes një reagimi të drejtpërdrejtë, zvarritjen e një kërkese për informacion nga institucioni që duhet të garantojë transparencën – Komisionari për të Drejtën e Informimit.

Luku shprehet se prej më shumë se 100 ditësh, kërkesa e tij për një raport që nuk përmban as të dhëna konfidenciale, as sekrete tregtare, por që duket se “i prish punë qeverisë para zgjedhjeve”, po endet nga një institucion në tjetrin, duke u refuzuar për “moskompetencë”.

Sipas tij, me firmë dhe vulë të Drejtoreshës së Përgjithshme pranë Komisionarit, Elona Hoxhaj, janë ngritur pengesa të njëpasnjëshme burokratike, duke kërkuar ankesa të reja, depozitimin e dokumenteve nga fillimi, madje dhe dokumente identifikimi për të njëjtën çështje – një strategji që Luku e quan “mekanizëm të pastër censure”.

Përmes një komunikimi të fundit zyrtar, Komisionari Publik ka kërkuar nga gazetari të bëjë “ankesën e katërt”, ndërsa Luku ironizon se ky institucion, që në letër duhet të mbrojë të drejtën për informim, në praktikë është kthyer në “Komisionarin e Mohimit të së Drejtës për Informim”.

“Ne ankesa do të bëjmë, edhe të katërtën, të pestën, të njëzetën nëse duhet. Jo për gjë, por këtë rast e përdor edhe si ‘case study’ me studentët e mi,” shkruan gazetari, duke paralajmëruar se historia nuk përfundon këtu.

Luku përmend gjithashtu se znj. Hoxhaj është e angazhuar si lektore për “Të drejtën kushtetuese” dhe “Të drejtën administrative”, duke e cilësuar këtë situatë një “perlë të administratës publike”.

“100 ditë për një informacion publik. Kaq për sot. Historia vijon”, përfundon reagimin e tij gazetari. /Kosova.info/


Go to TOP