Kurti në përvjetorin e Masakrës së Izbicës: Kujtimi i martirëve është zotim për drejtësi

Më 28 mars 2025, në 26-vjetorin e Masakrës së Izbicës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar një nga mizoritë më të mëdha të kryera gjatë luftës në Kosovë duke nderuar viktimat dhe duke kërkuar vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera nga regjimi serb.

Kurti rikujtoi se më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Izbicë të Skënderajt. Mijëra civilë, banorë të këtij fshati dhe të vendbanimeve përreth, u grumbulluan në një fushë, u plaçkitën dhe më pas burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në një akt barbar, njësitë speciale serbe ekzekutuan 147 burra, pleq dhe fëmijë të pafajshëm. Të moshuar e persona me aftësi të kufizuara që nuk mundën të largoheshin, u vranë dhe u dogjën në mënyrë çnjerëzore.

“Ku e keni NATO-n? Ku e keni Klintonin?”, ishin fjalët që, sipas të mbijetuarve, ushtarët serbë thoshin para se të hapnin zjarr mbi civilët.

Kjo masakër ndodhi në 10-vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, e cila shënoi suprimimin e autonomisë së Kosovës. Viktimat e masakrës u zhvarrosën më vonë nga Izbica dhe u dërguan në varreza masive në Serbi, për të fshehur gjurmët e krimit. Disa prej trupave u gjetën në Mitrovicë, e të tjerë pranë kampit të trajnimit të policisë në Petrovo Selo.

Kryeministri Kurti vlerësoi guximin e të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave, të cilët gjetën forcën për të dëshmuar në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, duke ndihmuar në dokumentimin e krimeve dhe duke kërkuar drejtësi.

“Në çdo pranverë, kujtimi i krimeve të Serbisë në Kosovë është thirrje për të mos harruar dhe për t’u bërë edhe më të vendosur në kërkimin e drejtësisë. Plagët janë të hapura për sa kohë kriminelët janë të lirë. Plagët i mbyll vetëm drejtësia,” theksoi Kurti.

Ai shtoi se Republika e Kosovës ka obligim historik që kriminelët të dalin para drejtësisë dhe viktimat të nderohen me të vërtetën dhe drejtësinë që meritojnë.

“Sot dhe përgjithmonë, nderojmë sakrificën e atyre që u sakrifikuan në Izbicë, nderojmë forcën e familjarëve, dhe angazhohemi që kjo tragjedi të mos harrohet kurrë. Lavdi martirëve të Izbicës! I paharruar qoftë kujtimi për ta!”, përfundoi Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP