30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit për ngacmim seksual të të miturës
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit D. LL., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ngacmimi Seksual”.
Sipas kërkesës së prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D. LL., në Gjakovë, në shkollën fillore “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke e përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës së mitur, veprime këto të cilat të dëmtuarës së mitur i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues, degradues dhe poshtërues”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe i ndikimit në prova. I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 27 mars 2025 dhe do të zgjasë deri më 26 prill 2025”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Kosova.info/
