Abdixhiku uron Manajn: Një burrë i urtë, i mençur dhe me plot vullnet për punë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar Shkëmb Manajn për marrjen e përgjegjësisë së re si nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Përmes një postimi publik, Abdixhiku ka vlerësuar përkushtimin dhe dinjitetin me të cilin Manaj ka shërbyer gjatë katër viteve të fundit në institucionet komunale.

“Shkëmbin, unë e Përparimi, e uruam për marrjen e përgjegjësisë së re, të nënkryetarit të Kryeqytetit. Ai, përgjatë katër viteve të shkuara, sikurse gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ka shërbyer me plot dinjitet e përgjegjësi në komunë,” ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së e ka cilësuar Manajn si një njeri të urtë, të mençur dhe me vullnet për punë duke shprehur bindjen se ai do ta kryejë këtë funksion me përkushtim dhe vlera njerëzore e politike.

Po ashtu, Abdixhiku ka falënderuar nënkryetarët e deridjeshëm, Alban Zogaj dhe Jehona Lushaku Sadriu, të cilët tashmë janë zgjedhur deputetë, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në komunë. “Kjo punë u shpërblye me mbështetje të lartë qytetare për ta. Ju pres në Kuvend!”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku i ka dëshiruar suksese Shkëmb Manajt në detyrën e re: “Të priftë e mbara, Shkëmb Manaj!”. /Kosova.info/


Go to TOP