Përkujtohen të rënët e familjes Rama, në mesin e tyre edhe fëmijë

Familjarë, miq dhe udhëheqës të institucioneve, në një akademi përkujtimore kujtuan rënien e 10 anëtarëve të familjes Rama në Shkabaj të Obiliqit.

Të rënët e familjes Rama, u vranë 26 vite me parë nga forcat serbe, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi vlerësoi lartë kontributin e familjes Rama për liri.

“Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar sakrificën e tyre. Sot është edhe një ditë reflektimi mbi sakrificën e madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Familja Rama dha bijtë e saj më të mirë, të cilët me heroizmin e tyre luftuan deri në frymën e fundit”, theksoi ai.

Ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit, njëherësh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se sakrifica e familjes Rama është garanci e lirisë sonë.

“Në cilin vend ka dhimbje e histori, dhe në histori të Kosovës familja Rama e zë një vend të veçantë në flijimin për liri. Ajo është një garanci e lirisë sonë, dhe kjo vlerësohet lartë nga të gjithë”, shtoi ai.

Kurse kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve në Obiliq, Esat Curri tha se sakrifica e familjes Rama, është vazhdimësi e sakrificës të familjes Jashari.

 Në nderim të tyre u vendosën edhe kurora lulesh pranë lapidarit të Dëshmorëve të Familjes Rama, pranë martirëve të familjes Halimi dhe atyre Haliti. /Kosova.info/


Go to TOP