Identifikohen dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj dhe arrestohet njëri prej tyre

Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, pas një hetimi intensiv lidhur me veprat penale “Vjedhja e Rëndë”, ka arritur të identifikojë dy persona të dyshuar për kryerjen e këtyre veprave në qytetin e Ferizajt, kryesisht në lokale.

Pas përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur të dyshuarin B. T, 23 vjeç ai është ndaluar nga Njësia e Hetimeve të Prishtinës, nën dyshimin për një vepër të ngjashme në rajonin e Prishtinës.

Nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe në praninë e avokatit mbrojtës, B.T është intervistuar nga Njësiti i Hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj dhe gjatë intervistimit dhe ballafaqimit me provat e mbledhura, ai ka pranuar kryerjen e disa veprave penale të “Vjedhjes së rëndë” në rrugët e Ferizajt:

– “Bajram e Gursel Sylejmani”

– “Hamëz Jashari”

– “12 Qershori”

– “Dëshmorët e Kombit”

– “Agim Matoshi”

– “Latif Hasani”

Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, duke përfshirë video incizime nga kamerat e sigurisë dhe sende të ndryshme që ndihmojnë në ndriçimin e këtyre rasteve. Deri më tani janë zbuluar tetë raste të “Vjedhjes së rëndë”.

I dyshuari B. T ndodhet në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë në koordinim me prokurorin e shtetit . Njësiti i Hetimeve po vazhdon përpjekjet për të siguruar prezencën e të dyshuarit të dytë dhe për të grumbulluar prova të tjera relevante.

Zyra për Informim e Policisë Rajonale të Ferizajt do të vazhdojë të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme. /Kosova.info/


Go to TOP