Rama: Diaspora në veprim, Drenusha Krasniqi-Vanmeter dhuron libra për fëmijët e Kosovës
Biblioteka e Fëmijëve në Prishtinë ka përfituar një donacion të rëndësishëm librash falë përpjekjeve të Drenusha Krasniqi-Vanmeter, shkencëtare shqiptaro-amerikane, e cila ka mobilizuar Bibliotekën Publike të Bostonit dhe komunitetin shqiptaro-amerikan për këtë nismë.
E lindur në Prishtinë dhe e shpërngulur në SHBA për studime, Drenusha sot është një shkencëtare e suksesshme në fushën e neuroshkencës dhe themeluese e “Beyond the Shadows”. Përkushtimi i saj për drejtësinë sociale dhe zhvillimin e komunitetit ka bërë të mundur forcimin e lidhjeve mes bibliotekave të Bostonit dhe Prishtinës.
Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i shprehu mirënjohje publike, duke e cilësuar Drenushën si një shembull frymëzues të diasporës që vazhdon të ndihmojë vendlindjen.
Kristale Rama nga “The Library Project – Kosova” e vlerësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në promovimin e leximit tek fëmijët dhe në pasurimin e bibliotekave vendore me literaturë cilësore. /Kosova.info/
