Gashi: Kritikat ndaj LDK-së janë shenjë demokracie, jo dobësie
Aktivisti i LDK-së në Prizren, Nderim Gashi, ka reaguar mbi debatet e brendshme në këtë subjekt politik, duke i konsideruar si tregues të pjekurisë demokratike dhe jo si cenim të unitetit.
Sipas Gashit, shprehja e mendimeve pro dhe kundër lidershipit të Lumir Abdixhikut është legjitime dhe e domosdoshme në një parti demokratike. Ai kundërshton idenë se debatet duhet të zhvillohen vetëm brenda strukturave partiake duke i quajtur të tilla qëndrime “infantile” dhe përpjekje për të ruajtur një imazh artificial të unitetit.
Gashi thekson se Abdixhikun nuk e rrezikon rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, por çdo involvim i mundshëm në manipulimin e votave të diasporës. Ai shpreh dyshimet e tij për abuzime me votat postare, duke shtuar se emri i Hysen Çekajt po përdoret si mburojë, ndërsa individë të tjerë janë të përfshirë në këtë proces.
Ai bën thirrje për një hetim të thelluar mbi votat e dyshimta dhe për zbardhjen e së vërtetës. Sipas tij, nëse rezulton se ka pasur vjedhje votash, mund të ndodhë një skenar i njohur më parë, ku një ambasador i një shteti mik do t’i sugjerojë LDK-së hyrjen në koalicion me PDK-në. /Kosova.info/
