Rikthimi i Courtois te Belgjika shkakton pakënaqësi

Koen Casteels, i cili ka qenë portieri titullar te Belgjika në dy vitet e fundit, është larguar në shenjë proteste pas rikthimit të Thibaut Courtois te Kombëtarja belge. 

Courtois nuk ka luajtur për Belgjikën që nga qershori i vitit 2023, kur kishte pasur një përplasje me ish-trajnerin Domenico Tedesco për çështjen e shiritit të kapitenit. Me shkarkimin e Tedesco dhe emërimin e Rudi Garcia në janar, portieri i Real Madridit ka vendosur të rikthehet në ekip.

Përveç Casteels, edhe disa lojtarë të tjerë kanë shprehur pakënaqësi për rikthimin e Courtois, ndërsa ish-mbrojtësi belg, Philippe Albert, e ka kritikuar ashpër tridhjetë e dy vjeçarin.

“Ai e mbylli derën e kombëtares një javë para dasmës së tij”, ka thënë Albert. “I bëri një dëm të madh kombëtares sonë.”

Trajneri i ri, Rudi Garcia, ka deklaruar se do të zhvillojë një bisedë me Courtois për situatën e krijuar, por ka theksuar se dëshiron ta shohë përpara këtë çështje.

“Thibaut është një nga portierët më të mirë në botë, nëse jo më i miri, dhe është fantastike ta kemi në ekip”, është shprehur Garcia. “Do të flasim një herë për atë që ndodhi, por kaq. Kjo është një aventurë e re dhe dua të ecim përpara”. 


Go to TOP