Joani zgjidhet Kryepiskop i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Sot, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka zgjedhur Imzot Joanin si Kryepiskop të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Vendimi u mor nga Sinodi i Shenjtë, pas ndarjes nga jeta të Kryepiskopit Anastas, i cili udhëhoqi Kishën Orthodhokse Autoqefale për më shumë se tre dekada.
Imzot Joani, i cili më parë shërbente si Mitropolit i Korçës, është një figurë e njohur për kontributin e tij në jetën fetare dhe shoqërore të vendit. Zgjedhja e tij është pritur me urime dhe lutje nga besimtarët dhe përfaqësuesit e feve të tjera.
Një ndër urimet e para erdhi nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, i cili përmes një mesazhi të përzemërt uroi Kryepiskopin e ri dhe i kërkoi bekimin e Hyjlindëses për udhëheqjen e tij të re në shërbim të Kishës dhe besimtarëve orthodhoksë.
Me zgjedhjen e Imzot Joanit, pritet të vijojë tradita e fuqizimit të komunitetit orthodhoks në Shqipëri dhe forcimit të dialogut ndërfetar.
