Luis Enrique: Ndeshja me Marseille më e rëndësishme se tabela

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka theksuar se për skuadrën e tij sfida me Olympique de Marseille ka një peshë më të madhe se thjesht tre pikët.

Dy skuadrat do të përballen këtë të diel në “Le Classique”, një nga ndeshjet më të zjarrta të futbollit francez.

“Kjo është një nga ndeshjet më të mira që mund të luajmë. Ende mund t’u sjellim gëzim tifozëve tanë”, ka deklaruar trajneri spanjoll para takimit në “Parc des Princes”. “Rëndësia e derbit nuk ka lidhje me renditjen në tabelë”.

PSG kryeson Ligue 1 me gjashtëdhjetë e pesë pikë dhe është i pamposhtur në njëzet e pesë ndeshje, duke e lënë Marseille, të drejtuar nga Roberto De Zerbi, gjashtëmbëdhjetë pikë pikë pas. Megjithatë, për trajnerin spanjoll, ky duel nuk është vetëm çështje rezultatesh, por edhe krenarie.

“Ai (De Zerbi v.j.) do të luftojë për të mbajtur posedimin dhe do të bëjë presion të lartë, me një kundër një. Ndeshja nuk është vetëm emocionale, por edhe taktike”, ka shtuar ai.  

Historikisht, “Le Classique” është shoqëruar me episode të tensionuara. Përpara sfidës së tetorit, tifozët e PSG ofenduan ish-mesfushorin e tyre, Adrien Rabiot, tani pjesë e Marseille.

I pyetur për mundësinë e incidenteve të ngjashme, Luis Enrique ka bërë thirrje për qetësi dhe mbështetje të pastër sportive. 

“Mendimi im mbetet i njëjtë: kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve në çdo ndeshje. Ne e duam përkrahjen e tyre gjatë gjithë sezonit. Do të doja që ata të fokusoheshin te PSG, të respektonin kundërshtarët dhe të mbështesin ekipin”, ka thënë ai. 


Go to TOP