Bajrami kritik ndaj Kurtit: Rritja e çmimit të energjisë godet bizneset dhe qytetarët
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për paralajmërimin e rritjes së çmimit të energjisë me 15% nga 1 prilli 2025.
Bajrami ka rikujtuar deklaratën e Albin Kurtit në vitin 2019, kur ai premtonte ulje të çmimit të energjisë, ndërsa sot po ndodh rritja më e madhe në histori. Sipas saj, kjo rritje do të rëndojë faturat e familjeve dhe do të dëmtojë konkurrencën e bizneseve.
“Pas daljes së bizneseve të mëdha në tregun e hapur, logjikisht tarifat duhet të ulen, por ZRRE vendos sërish rritje. Kjo politikë i shërben vetëm KEDS/KESCO dhe tregtarëve të energjisë, ndërsa qytetarët do të paguajnë më shumë,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo paralajmëron se përveç rritjes së drejtpërdrejtë të faturave të energjisë, kjo politikë do të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke rënduar më tej jetesën e qytetarëve.
Opozita ka kërkuar nga qeveria të ndërhyjë për të parandaluar këtë rritje, ndërsa qytetarët dhe bizneset mbeten në pritje të një vendimi përfundimtar nga ZRRE. /Kosova.info/
