Sot fillon festivali i matematikës në Prishtinë
Sot fillon Festivali i Matematikës, i cili zhvillohet për herë të tretë. Sivjet mbahet në shkollën e mesme të ulët “Meto Bajraktari”. Dekan i Fakultetit të Shkencës Matematike dhe Natyrore, Kajtaz Bllaca ka theksuar rëndësinë e këtij festivali si një mundësi për të promovuar matematikën dhe për të angazhuar të rinjtë dhe mësuesit në diskutime mbi matematikën.
“Ky është edicioni i tretë i festivalit të matematikës në një nivel të organizuar, pas disa edicionesh më herët që ishin zhvilluar në nivele individuale. Dita e matematikës është e veçantë ka filluar të festohet për herë të parë në Amerikë, dhe 14 marsi është një datë simbolike në të gjithë botën, duke u lidhur me numrin Pi”, ka theksuar Bllaca në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Gjithashtu Bllaca, shpjegoi qëllimin e festivalit, i cili ka për qëllim promovimin e matematikës në një nivel sa më të gjerë dhe inkurajimin e diskutimeve mbi shkencën. Festivalit ka tri kategori për konkurrim:
Kategoria e parë: Vepra arti, ku pjesëmarrësit krijojnë dhe shprehin artin përmes pikurave që lidhen me matematikën, nga nxënësit e klasës 6 deri në të 9.
Kategoria e dytë: Video në të cilat pjesëmarrësit paraqesin si do ta shpjegonin matematikën sikur të ishin profesorë.
Kategoria e tretë: Video deri në tre minuta, ku mësuesit para universitar tregojnë arsyet pse e kanë zgjedhur matematikën si profesion.
Ky festival ka për qëllim të angazhojë të gjitha grup moshat dhe të krijojë një hapësirë për të reflektuar mbi rëndësinë e matematikës dhe shkencës në jetën e përditshme.
