Një bir përkujton heroin: Arbër Malota nderon babain e tij, Mark Malotën, në 67-vjetorin e lindjes
Sot, Arbër Mark Malota kujton me mall dhe krenari babanë e tij dëshmor, Mark Malotën, në 67-vjetorin e lindjes. Në një dedikim prekës, Arbëri rikthen kujtimin e fundit me të duke përshkruar momentet e dhimbshme të vitit 1999, kur babai i tij, në krye të detyrës si një engjëll mbrojtës i popullit, kalonte nëpër “hijen e luginës së mortit”.
“Nuk arrita të ta uroj as ditëlindjen e fundit më 8 mars 1999, sepse ti qëndroje në ballë të stuhisë, aty ku vetëm lisat me rrënjë të thella nuk thyhen,” shkruan Arbëri duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe madhështinë e babait të tij. Vetëm 18 ditë pas asaj date, Mark Malota ra heroikisht duke u bërë një simbol i sakrificës dhe përjetësisë.
Me fjalë prekëse, Arbëri shpreh nderimin dhe dashurinë e tij të përjetshme për babanë: “I madh ke qenë, babë, shumë i madh! E madhe vepra jote, i madh qëllimi yt, i përjetshëm kujtimi për ty! Gëzuar ditëlindjen!”.
Kujtimi për Mark Malotën mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrën e të birit, por edhe në historinë e një populli që nuk harron bijtë e tij më të mirë. /Kosova.info/
