Krasniqi denoncon manipulimet në Vushtrri: Vota është e shenjtë, do ta mbroj me çdo mjet juridik
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka reaguar publikisht lidhur me dyshimet për manipulime në procesin zgjedhor në Vushtrri duke theksuar se angazhimi i saj nuk ka pasur prapavijë personale, por ka synuar mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se denoncimi i saj për parregullsitë ka nisur më 16 shkurt, kur kishte paraqitur ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për hapjen e kutive të votimit.
“Nuk ka të bëjë me interesin personal, por me fenomenin që dëmton besimin e qytetarëve dhe sistemin zgjedhor. Komisionarët e porositur kanë shkruar dhjetëra vota për kandidatë në sistem, të cilat nuk kanë ekzistuar në kuti,” ka deklaruar ajo.
Krasniqi po ashtu ka theksuar se përpjekjet për manipulime kanë përfshirë edhe fletëvotimet e pavlefshme, të cilat janë numëruar si të vlefshme në favor të kandidatëve të caktuar.
“Vota është e shenjtë dhe do ta mbroj me çdo mjet juridik,” ka përfunduar ajo, duke theksuar se po pret raportin e prokurorisë për të vazhduar me hapat e radhës.
Ajo ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka bërë thirrje për transparencë në çdo proces zgjedhor. /Kosova.info/
