AUV-ja ndalon importin e kafshëve dhe produkteve nga Hungaria për shkak të sëmundjes “Afta Epizootike”

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka marrë informacione zyrtare nga Autoritetet Hungareze mbi shpërthimin e sëmundjes virale “Afta Epizootike” në këtë shtet, e cila ka prekur zonën kufitare me Sllovakinë.

Sipas informacionit të dhënë nga sistemi ADIS – Animals Diseases Information System të Bashkimit Evropian, sëmundja është regjistruar në zonën kufitare me Sllovakinë, duke shkaktuar shqetësime për përhapjen e saj të shpejtë. Si pasojë, Agjencia ka vendosur masa kufizuese ndaj importit të kafshëve (gjedhe, dele, dhi dhe derra) dhe produkteve të tyre nga Hungaria.

“Afta Epizootike është një sëmundje virale që prek kafshët dythundrake, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në sektorin e bujqësisë. Sëmundja mund të prekë kafshët shtëpiake si lopët, delet, dhitë, derrat, dhe ripërtypësit e egër si drerin dhe kaprollin. Shenjat klinike përfshijnë ethe dhe flluska që formohen në gojë, në gji, në thundra dhe mes gishta, ndërsa nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftim.

AUV-ja thotë se, Kosova mbetet e lirë nga sëmundja e Aftës Epizootike dhe ka kapacitetet inspektuese të nevojshme për të kontrolluar çdo rast të mundshëm në rast se sëmundja konfirmohet. /Kosova.info/


Go to TOP