Rama shpërndan mirënjohje për mësuesit e Prishtinës në Ditën e Mësuesit
Në kuadër të festimeve për Ditën e Mësuesit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori pjesë në një seancë solemne në Kuvendin Komunal, ku shprehu mirënjohjen e thellë për punën dhe përkushtimin e mësuesve të kryeqytetit.
Në fjalimin e tij, Rama vlerësoi kontributin e mësuesve të Prishtinës, të cilët, përmes përkushtimit të tyre, krijojnë bazën e zhvillimit të shoqërisë dhe individëve. Ai ndau mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar, të cilët, me pasionin dhe devotshmërinë e tyre, kanë kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e arsimit në qytet.
Gjithashtu, Kryetari Rama shprehu falënderime për drejtoreshën e Arsimit, Jehona Lushaku, për punën e saj në reformimin e arsimit, përmirësimin e kushteve për nxënës dhe mësues, dhe për kontributin e saj në ngritjen e cilësisë së arsimit në Prishtinë.
“Ju falënderojmë të gjithëve, nga zemra, për punën tuaj të jashtëzakonshme. Vazhdoni tutje misionin tuaj të shenjtë, sepse me ju ndërtojmë të ardhmen,” përfundoi Rama.
Në këtë ditë të shënuar, mësuesit e Prishtinës morën vlerësimin e merituar për përpjekjet e tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. /Kosova.info/
