Dështon sërish seanca e Kuvendit në Gjilan, Hyseni akuzon kryesuesin
Ka dështuar sërish seanca urgjente e Kuvendit Komunal për miratimin e buxhetit të Komunës së Gjilanit. Seanca ka dështuar për mungesë kuorumi.
Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka akuzuar opozitën dhe kryetarin e kuvendit, Kushtrim Kadriu, që sipas tij, nuk e ka ftuar seancën përkundër kërkesës së ekzekutivit.
“Seanca e sotme e thirrur nga ekzekutivi nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për ta aprovuar buxhetin e Komunës së Gjilanit. Ftesën e kemi dërguar dje dhe deri sot kur është mbajtur kjo seancë urgjente, kryesuesi i Kuvendit nuk e ka dërguar tek asamblistët”, ka theksuar Hyseni në një konferencë për media.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dje paralajmëroi se do ta votojnë buxhetin.
Hyseni ka thënë se në orën 16:00 do të mbahet sërish seanca për buxhetin, ndërsa në rast se dështon sërish, do të tentojnë ta mbajnë seancën edhe te enjten.
Gjilanit është komuna e vetme që nuk e ka miratuar buxhetin dhe ka kohë ta bëjë këtë vetëm deri më 1 mars. Në rast të dështimit të aprovimit të buxhetit organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal. /Kosova.info/
