Krasniqi: 2024, vit historik për sportin e Kosovës
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar vitin 2024 si një vit të jashtëzakonshëm për sportin kosovar, duke theksuar sukseset dhe përkushtimin e sportistëve në arenën ndërkombëtare.
Këto vlerësime ai i ka bërë gjatë ceremonisë “Laureatët 2024”, duke veçuar sukseset e Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut, të cilat kishin fituar medalje në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
“Viti që e lamë pas, 2024, ka qenë i mbushur me emocione, me angazhim të palodhur dhe mbi të gjitha me arritje që do të mbesin përherë të shënuara në historinë e sportit të Kosovës. Sportistët tanë kanë treguar se nuk ka kufij për talentin dhe pasionin, duke arritur suksese të jashtëzakonshme jo vetëm në nivelet kombëtare po edhe ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.
