Familja Galushi padit redaktorin e redaksisë rome të RTK-së për shpifje dhe fyerje në TikTok
Familja Galushi ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Prizrenit ndaj redaktorit të Redaksisë Rome në RTK, Daut Qylangji duke e akuzuar për shpifje, fyerje dhe nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale.
Sipas deklaratës publike të Denis Galushit, gazetarit dhe moderatorit në RTK Radio Kosova 2, ai dhe vëllai i tij, Erxhan Galushi, kandidat për deputet, kanë ndërmarrë këtë hap ligjor pas ofendimeve dhe akuzave të bëra nga Qylangji në një transmetim “live” në TikTok gjatë natës së 7 dhe 8 shkurtit.
“‘Këta janë budallë, këta janë gjenetikisht të çmendur, babën e kanë budallë. Gjimshiti është budallë! Njejtë si djemtë e tij, Denisi dhe Erxhani…’ janë disa nga fyerjet e drejtuara ndaj nesh,” ka thënë Denis Galushi në njoftimin e publikuar.
Sipas tij, Qylangji ka vazhduar të përdorë rrjetet sociale për të sulmuar figurën e Erxhan Galushit duke bërë propagandë kundër tij dhe duke nxitur ndjekësit të bëjnë kërcënime publike ndaj familjes Galushi.
Në njoftim thuhet gjithashtu se Qylangji, si redaktor në RTK, ka shkelur etikën profesionale duke mbajtur qëndrime politike publike dhe duke pretenduar se financohet nga parti politike.
Familja Galushi ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të shqyrtojnë me seriozitet këtë çështje dhe të sigurojnë një vendim të drejtë. “Ne kemi kontribuar në institucionet e shëndetësisë, arsimit, drejtësisë, medias dhe kulturës. Nuk do të lejojmë që emri ynë të dëmtohet nga abuzimi me institucionet publike dhe rrjetet sociale,” përfundon deklarata e tyre. /Kosova.info/
