Demokracitë nuk luftojnë mes vete
Shkruan: Pal ShTUFI
Stuhinë që ka shkaktuar Trump në sipërfaqen e çështjeve, ende e shoh si një stuhi në gotë. Gjithçka i ngjan një kambane zgjuese ose një prove për të testuar se deri ku mund të dridhen partnerët hedonistë të kontinentit të vjetër. Duhet pritur.
Një gjë është e sigurt: nën çadrën amerikane, Evropa Perëndimore është zhvilluar më shumë se çdo rajon tjetër në botë. U ndien aq të sigurt nën këtë mbrojtje, saqë filluan ta marrin si të mirëqenë.
Megjithatë, potenciali ekonomik, teknik dhe teknologjik i Evropës mundëson lehtësisht edhe forcimin e saj ushtarak. Evropa është një fuqi e heshtur dhe ndoshta lëkundja që po i shkakton Trump do t’i bëjë mirë.
Herë pas here Trump po bën gabime në deklarata, të cilat shpesh edhe i korrigjon. Sidoqoftë, populli amerikan ka një bazë kulturore evropiane dhe ndan të njëjtat vlera me ta. Dua të them se, edhe nëse Trump gabon, 360 milionë amerikanë janë aty për ta “përndritur” presidentin e tyre!
Demokracia amerikane ka një veçori: shumica e qytetarëve ndihen individualisht përgjegjës për vlerat dhe interesat madhore të vendit, prandaj janë kujdestarë të denjë të kësaj mrekullie amerikane.
