Milan eliminohet nga Feyenoord

Milan është eliminuar nga Champions League pas barazimit 1:1 në ndeshjen e kthimit kundër Feyenoord. 

Pas fitores minimale 1:0 në Rotterdam javën e kaluar, Feyenoord ka arritur ta mbrojë avantazhin në “San Siro” të martën mbrëma, duke avancuar me rezultatin e përgjithshëm 2:1.

Ndeshja ka nisur në mënyrën më të keqe për skuadren holandeze, pasi që në minutën e parë, Gimenez ka shënuar për ekipin italian, duke e vendosur Feyenoord në një situatë të vështirë. Me këtë rezultat ka përfunduar edhe pjesa e parë.

Situata për “rosonerët” është përkeqësuar në minutën e pesëdhjetë e një, kur Theo Hernandez është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Milan me dhjetë lojtarë. Francezi, i cili kishte marrë kartonin e parë në pjesën e parë është përjashtuar për simulim.

Megjithëse Milan është përpjekur ta ruajë epërsinë dhe të paktën ta çojë ndeshjen në vazhdime, Feyenoord ia ka arritur të shënojë golin e barazimit me rezervistin Julian Carranza në minutën e shtatëdhjetë e tretë. Ky gol i ka siguruar ekipit holandez kalimin në një të tetën e finales, duke u renditur mes gjashtëmbëdhjetë skuadrave më të mira të Evropës.

Sonte pritet të zhvillohen edhe tri ndeshje të tjera. 


Go to TOP