Rama: Prishtina nis vitin 2025 me decentralizim të shërbimeve-më pak radhë, më shumë efikasitet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar rezultatet e para të decentralizimit të shërbimeve komunale, një proces që synon ta afrojë administratën më pranë qytetarëve dhe të reduktojë pritjet në sportele.
Sipas raportit të parë mujor, efektet e këtij reformimi tashmë janë të dukshme:
🔹 3,305 vërtetime të lëshuara nga bashkësitë lokale;
🔹 870 fatura të tatimit në pronë të përpunuara pa nevojë për vizitë fizike;
🔹 960 fatura të mbeturinave të paguara në mënyrë të decentralizuar;
🔹 1,276 aplikime të përfunduara për subvencione shëndetësore;
🔹 497 për mirëqenie sociale dhe 213 për bujqësi.
Në total, mbi 3,800 qytetarë nuk kanë pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportelet e Komunës, duke kursyer kohë dhe duke shmangur radhët e gjata.
“Ky është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm, i cili do ta bëjë administratën më të përgjegjshme dhe shërbimet më efikase për qytetarët,” u shpreh Rama.
Ky hap i parë drejt decentralizimit është pjesë e një strategjie më të gjerë për të modernizuar administratën komunale dhe për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët e Prishtinës. /Kosova.info/
