Deco flet për një rikthim të mundshëm të Neymarit në Barcelonë
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur hapur për mundësinë e rikthimit të Neymar në klubin katalanas, duke shpjeguar arsyet pse një transferim i tillë është i komplikuar në këtë moment.
Deco theksoi se transferimi i Neymarit ka qenë gjithmonë një skenar i vështirë për t’u realizuar, veçanërisht pas largimit të tij drejt kampionatit saudit.
“Rikthimi i Neymar te Barça ka qenë gjithmonë një mundësi e largët. Që nga largimi i tij drejt Arabisë Saudite, kemi kuptuar se ai është një lojtar i shtrenjtë, me kërkesa të mëdha ekonomike, sidomos duke marrë parasysh rregullat e ‘fair play financiar’ të La Liga-s”, tha ai.
Duke folur për talentin dhe ndikimin e Neymarit, Deco nuk kurseu lëvdatat:
“Në momentin e tij më të mirë, Neymar është një nga lojtarët më të mirë në botë. Vazhdon të jetë kështu dhe gjithmonë do të jetë. Ai është i mirëpritur në çdo klub të botës”, shtoi ai.
Megjithatë, Deco la të kuptohet se kthimi i Neymarit në Barcelonë nuk është prioritet për momentin. “Nuk mund të përjashtohet një operacion i tillë, por tani për tani e shoh duke u kthyer në Brazil. Gjithçka që ka rëndësi është që Neymar të kthehet të luajë futboll. Kjo do t’i sjellë gëzim atij dhe njerëzve që e rrethojnë”, tha Deco.
