Rama: monitorim i rreptë për cilësinë e Transportit Publik në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar masa të reja për monitorimin e transportit publik në kryeqytet, duke vendosur theks të veçantë tek garantimi i shërbimeve cilësore për qytetarët që përdorin biletat mujore.
Në një takim me përfaqësuesit e linjave private të transportit, u vendos që do të ketë kontrolle më të rrepta për të siguruar që çdo qytetar që paguan për shërbimin të marrë atë që i takon. Ky veprim ka për qëllim përmirësimin e cilësisë, transparencës dhe besueshmërisë së shërbimit publik.
“Ky është një hap tjetër përpara drejt krijimit të një transporti publik modern dhe funksional për të gjithë qytetarët. Bashkë, po ndërtojmë një kryeqytet më të mirë,” theksoi Rama.
Ndërkohë, Bekim Brestovci nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka deklaruar se kjo iniciativë është pjesë e një plani më të gjerë për të garantuar cilësi dhe korrektësi në transportin publik, duke u angazhuar për t’i dhënë qytetarëve vlerën e merituar për pagesat e tyre.
Masat e reja priten të përmirësojnë ndjeshëm përvojën e përdoruesve dhe të ndihmojnë në forcimin e besimit ndaj operatorëve të transportit publik në kryeqytet. /Kosova.info/
