Haziri kritikon Kurtin: a është e mundur që ai paska folur jerm sot në Gjilan
Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së tij në këtë qytet. Në një deklaratë për mediat, Haziri e ka akuzuar Kurtin për keqinterpretim të realiteteve dhe përpjekje për të mashtruar qytetarët e Gjilanit.
Haziri theksoi se Kurti ka përmendur si të realizuara projekte që, sipas tij, janë lënë të gatshme nga qeverisja e LDK-së, por që nuk janë vazhduar nga qeveria aktuale. “Pse e bllokuat Autostradën, Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, Stadiumin e Qytetit, hyrje-daljet e qytetit, Rrugën e Kumanovës, programin Flows për ujërat e bardha e dhjeta projekte tjera të cilat i buxhetuam e projektuam ne?!” pyeti Haziri.
Ai akuzoi qeverinë Kurti për përjashtimin e Gjilanit dhe Anamoravës nga investimet, duke pretenduar se asnjë projekt i ri nuk është realizuar në këtë zonë.
Në përfundim, Haziri ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë: “A është e mundur që Kurti paska fol jerm sot në Gjilan?!” Kjo deklaratë pritet të ngjallë debate të mëtejshme mes dy kampeve politike. /Kosova.info/
