Siç besonte publiku për Luizin në Big Brother, ashtu po besojnë për Albinin në zgjedhjet e 9 shkurtit

Shkruan: Emanuel Demaj

Po hyn Kosova në një tjetër muaj të artë reality show, ku publiku po përgatitet të eliminojë dikë me votë të madhe, jo nga një shtëpi luksoze, por nga politika. Kandidatët, ata janë duke performuar si në “prime time”, me akuza, sharje dhe premtime që shkëlqejnë si fishekzjarre të zbrazëta. Dhe, ashtu si në Big Brother, duket qartë kush është “favoriti i publikut” që po e dominon skenën: Albin Kurti – ose siç i themi tashmë, “Luizi i i Big Brother “.

E çka po bëjnë të tjerët? Epo, opozita jonë, sikur banorët e shtëpisë pas nominimit, ka filluar një maratonë debatesh e akuzash që veç po na japin show. Por hajde, të jemi të sinqertë, a nuk duket gjithë kjo më shumë si një “Bajram me Quran të huazuar”? Katër vite heshtje të thellë përballë një mekanizmi që po e quanin “rrenacak e mashtrues”, por ama nuk i thoshin gjë, vetëm sa për të na dhënë këtë performancë të bujshme në fund të sezonit.

Për ta, duket sikur Albini është “Shpijuni i Serbisë” dhe këtë kartë po e luajnë pa ndal. Por ja ku qëndron problemi: sa herë ia përmendin Serbinë, Albinit veç po i rriten zemrat, e në këtë rast, votat. E në vend që ta kapin aty ku e djeg më shumë (se jo gjithçka po shkon perfekt në qeveri), opozita po i sulmon me të njëjtat fjalë që populli e di se janë vetëm për shoë. Sinqerisht, duket sikur po mundohen t’ia marrin “kupën e liderit” brenda muajit të fushatës, ndërsa Albini veç po sheh publikun e tij që e brohoret: “Ti je kampioni jonë!”.

Epo, siç thuhet shpesh, kur nuk di çka tjetër të bësh, veç… “kap për bole”. Po në këtë rast, as aty s’ka garanci që do funksionojë, sepse Albini duket i pathyeshëm në sytë e shumë qytetarëve. E gabimet e qeverisë së tij, që duhej të ishin analizuar dhe goditur për katër vite, tani po përdoren si një bombë e fundit, por kjo po duket si një fajësi publike, “Për katër vite, as si opozitë nuk kemi bërë punën tonë!”.

Në këtë reality show politik, votuesit janë si “publiku nga telefoni”. Po shohin gjithçka, po qeshin e po nervozohen, por e dinë se kush do fitojë. Siç ndodhi me Luizin, edhe këtu mund të themi që fati është shkruar që nga hyrja në lojë. Albini po ecën i qetë si në një videoklip ku gjithçka rrotullohet rreth tij, ndërsa të tjerët veç po përplasen me njëri-tjetrin si për të fituar ndonjë votë më shumë.

Është ironike si opozita po sillet tamam si banorë të shtëpisë së Big Brother-it, të cilët kur ndihen të rrezikuar, fillojnë me akuza të forta, debate të kota dhe drama artificiale. Krejt këto vetëm për të marrë simpati nga publiku që, në fund, veç po e përforcon “favoritin e madh”. Po edhe Albini, si Luizi, po e shijon këtë moment. Nëse opozita nuk ndryshon strategji dhe nuk gjen mënyra për të fituar zemrat e publikut me punë reale e jo me akuza të zhurmshme, atëherë më 9 shkurt veç do të shohim një tjetër episod triumfi për kampionin e preferuar.

Gezuar! E mbani mend, vota, si nominimi, është personale, por efekti është publik!

Go to TOP