Resuli i përgjigjet z. Brace: prioriteti im është shëndeti i konsumatorëve shqiptarë

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resuli, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Erion Brace, duke theksuar se qëndrimet e tij profesionale mbështeten vetëm në fakte dhe prova shkencore, pa ndonjë prapavijë politike apo interesa të fshehura.

Resuli nënvizoi se veprimtaria e tij profesionale është ndërtuar mbi raportimet në Sistemin Europian të Alarmit për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF), duke pasur si prioritet mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në reagimin e tij, Resuli dënoi gjuhën ofenduese të përdorur nga z. Brace në lidhje me një raport profesional mbi praninë e klorpirifosit në mandarina, duke shtuar se çështja kërkon trajtim profesional dhe jo përdorim politik për qëllime personale.

“Unë nuk kam ndërmend të merrem me llumin e politikës. Për mua, prioritet mbetet shëndeti i konsumatorëve shqiptarë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë,” deklaroi Resuli. Ai u bëri thirrje institucioneve publike dhe zyrtarëve të përqendrohen në përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore, duke shmangur sulmet personale ndaj profesionistëve.

Resuli përfundoi me një ftesë për një debat transparent dhe profesional mbi sigurinë ushqimore, të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve shqiptarë. /Kosova.info/


Go to TOP