Stadiumi i Gjakovës drejt përfundimit
Mungesa e stadiumit të qytetit në Gjakovë ka qenë një hendikep jo vetëm për sportistët, por edhe për simpatizuesit gjakovarë, të cilët dallohen për devotshmërinë e tyre ndaj klubit futbollistik “Vëllaznimi” por edhe sportit në tërësi.
Kështu është shprehur ish-futbollisti i Vëllaznimit, Genc Hoxha, tani që punimet për finalizimin e këtij projekti po shkojnë drejt përfundimit. Ai tha se në këtë mënyrë po përmbushet një ëndërr e kamotshme e shumë brezave.
“Pa dyshim që ka qenë hendikep, domethënë klubi ka qenë i detyruar të zhvillojë ndeshjet si vendas nëpër qytete të tjera. Unë jam i lumtur që do të jem dëshmitar i realizimit të një fushe të tillë, që e kanë ëndërruar gjenerata të tëra futbollistësh, të cilët kanë sakrifikuar shumë për futbollin e Gjakovës e Kosovës. Mendoj se kjo do t’u shërbejë shumë gjeneratave të reja, jo vetëm të Gjakovës, por edhe të qyteteve të tjera, theksoi Hoxha.
Ndërsa, Gëzim Daka, ish-futbollist i KF “Gjakova”, tha se nga ky stadium nuk do të përfitojnë vetëm sportistët por edhe qyteti.
“Dihet që komuna është bartësja kryesore për ndërtimin e këtij tempulli, por falë Zotit që po iu vijnë ditë të mira futbollistëve të rinj. Ishalla e trashëgojnë dhe do të shohim ndeshje të mëdha në këtë stadium. Kam besim që do të shohim edhe kupa të Evropës në këtë stadium. Qyteti i Gjakovës i plotëson edhe kushtet për klimën, që do të thotë se këtu do të vijnë dhe stërviten edhe klube të tjera gjatë pushimeve. Do të ketë, pse jo, edhe përfitime për qytetin e Gjakovës”, tha Daka.
Për të ardhur në këtë situatë, sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa në Gjakovë, Durim Halilaj, nuk ka qenë edhe e lehtë.
“Nuk jemi ndalur, nuk kemi lënë gur pa lëvizur. Komuna e Gjakovës fillimisht ka nisur me të hyra vetanake në mënyrë që ky projekt të realizohet për qytetarët e komunës së Gjakovës, për sportin, por po ashtu kemi gjetur përkrahje edhe nga Ministria e Kulturës, me të cilën kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe jemi duke vazhduar me ritëm të shpejtë për të realizuar punimet që ky projekt strategjik të finalizohet në vitin 2025, deklaroi Halilaj.
Më 21 maj të vitit 2020, ishte vendosur gurthemelin për ndërtimin e Stadiumit të qytetit në Gjakovë, ku ishin ndarë 1.1 milionë euro. Ndërsa vlera e krejt projektit arrin në rreth 10 milionë euro.
