Nga pakujdesia në punimet e rrugës, shpërthejnë ujerat e zeza, vërshohen garazhet në Apolloni
Banorët e një nga hyrjet e pallatit “Apollonia A” në Fushë Kosovë kanë mbetur të befasuar me garazhet e vërshuara me ujë. Të shqetësuar ata thonë se arsye e kësaj mund të jetë rikonstruktimi i një rruge, gjatë së cilës kanë shpërthyer gypat e ujërave të zeza.
Ka ditë që ata përveç aromës së pakëndshme që depërton në banesat e tyre, po ashtu nuk mund të parkojnë makinat dhe detyrohen t’i lënë ku të munden.
Një nga banorët L.A., thotë se një kompani duke rikonstruktuar rrugën ka dëmtuar gypin. Nga komuna e Fushë Kosovës thonë se janë duke u munduar të bëjnë sanimin në bazë të mundësive të tyre për të evituar problemin.
Fatmire Miftari zyrtare për mbikëqyrje të projekteve në drejtoria për Planifikim Urban ka shprehur keqardhje për situatën duke nënvizuar se po mundohen ta bëjnë sanimin sipas mundësive të tyre.
“Ju njoftojmë se momentalisht jemi në përfundim të hartimit të projektit për asfaltimin e rrugës, “Hamdi Grajqevci” ku do të përfshihet edhe rregullimin i një rrjeti të ri të kanalizimit. Këtë vit do të rikonstruktohet rruga në fjalë dhe mund të kyçet objekti juaj në këtë rrjet të analizimit”, ishte përgjigja e adresuar e zyrtares Miftari duke uruar të bëhet zgjidhja me e mirë dhe të mos ketë probleme. /Kosova.info/
