Abdixhiku prezanton planin për Infrastrukturë dhe Energji në Mitrovicë: koha për transformim rrënjësor të Kosovës

Sot në Mitrovicë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi programin ambicioz për Infrastrukturë dhe Energji, pjesë e platformës së tij “Rruga e Re.” Në një takim me interes të madh nga qytetarët, Abdixhiku theksoi projektet që synojnë transformimin e Kosovës në një model zhvillimi rajonal.

Në infrastrukturë, plani përfshin:

Përfundimin e autostradave kryesore, si Prishtinë-Podujevë (50 milionë euro) dhe Prishtinë-Mitrovicë (30 milionë euro).

Ndërtimin e Autostradës së Anamoravës (170 milionë euro) dhe Unazës së Jashtme të Kryeqytetit (350 milionë euro).

Investime në vendndalesa për transport publik dhe zgjerimin e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në Merdarë.

Në sektorin e energjisë, plani parashikon:

Ndërtimin e një centrali me gaz prej 500 MW (500 milionë euro) dhe gazifikimin e Kosovës.

Shtimin e 1000 MW kapacitet të energjisë së ripërtëritshme dhe përmirësimin e infrastrukturës për ruajtje energjetike.

Lehtësime fiskale për energjinë elektrike dhe promovimin e veturave elektrike.

“Me këtë plan, Kosova nuk do të mbetet më e fundit në Evropë. Është koha të ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje të qëndrueshme,” deklaroi Abdixhiku duke premtuar stabilitet dhe zhvillim ekonomik nën drejtimin e tij si Kryeministër. /Kosova.info/

Go to TOP