“Happy sh.p.k.” shpallet Eksportuesi i Vitit për të tretin vit radhazi
Kompania kosovare e letrës së lagur, “Happy sh.p.k.”, është shpërblyer për të tretin vit radhazi me çmimin prestigjioz “Eksportuesi i Vitit 2024”. Lajmin e ka ndarë afaristi i suksesshëm dhe themeluesi i kompanisë, Alban Rraci, duke shprehur krenarinë për këtë arritje të madhe.
“Ky çmim është rezultat i punës së palodhur të stafit tonë dhe të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë. Kjo dëshmon rëndësinë dhe potencialin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare,” tha Rraci.
“Happy sh.p.k.”, e cila operon me standarde të larta cilësie, ka arritur të ndërtojë një emër të fuqishëm në eksportin e produkteve të saj në tregjet ndërkombëtare duke qenë një shembull frymëzues për sektorin privat në Kosovë.
Ky sukses konfirmon përkushtimin dhe vizionin e kompanisë për t’u bërë një lider global në industrinë e saj. /Kosova.info/
