Zogaj: Shfuqizimi i rregullores për menaxhimin e mbeturinave rrezikon përparimin e Prishtinës

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së seancës së jashtëzakonshme nga opozita për të shfuqizuar rregulloren që mundëson bashkëpunimin me sektorin privat në menaxhimin e mbeturinave. Sipas tij, ky hap rrezikon përparimin e rëndësishëm që kryeqyteti ka bërë deri më tani.

“Kjo rregullore është hartuar me kujdes për t’i dhënë qytetit tonë një zgjidhje moderne dhe efikase për një nga sfidat më të mëdha – menaxhimin e mbeturinave,” tha Zogaj.

Ai shtoi se përmes bashkëpunimit me sektorin privat, sigurohen shërbime më cilësore, optimizohen burimet publike dhe përmirësohen standardet e pastërtisë për qytetarët.

Zogaj siguroi se ky model nuk do të cenojë punëtorët dhe Ndërmarrjen Publike “Pastrimi,” por synon t’i fuqizojë ato përmes burimeve dhe ndihmës së shtuar.

“Punëtorët do të mbrohen dhe kushtet e tyre do të përmirësohen, ndërsa puna e tyre do të bëhet më efikase,” shtoi ai.

Nënkryetari kritikoi opozitën për vendosjen e interesave politike mbi të mirën e qytetit.

“Është për keqardhje që disa po tentojnë të pengojnë këto përpjekje, duke promovuar retorikë boshe në vend të zgjidhjeve konkrete,” tha Zogaj.

Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së përparimit të arritur dhe përsëriti përkushtimin për një Prishtinë më të pastër.

“E ardhmja e qytetit tonë nuk mund të mbetet peng i qëllimeve politike afatshkurtra. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për interesin publik dhe një kryeqytet më të mirë për të jetuar,” përfundoi Zogaj.

Seanca e jashtëzakonshme mbetet temë e nxehtë diskutimi, ndërsa qytetarët presin rezultate që përputhen me premtimet për një mjedis më të pastër dhe më të menaxhuar. /Kosova.info/

Go to TOP