Bajrami akuzon Muratin për dështim në zbatimin e Ligjit për Pagën Minimale

Nënkryetarja dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka fajësuar opozitën për vonesën në zbatimin e Ligjit për Pagën Minimale, duke thënë se ligji është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga ata.

Bajrami ka kujtuar rastin e grevës disa javore të grave që punonin për mirëmbajtjen e Kuvendit të Kosovës duke theksuar se vonesat dhe dështimi në zbatimin e ligjit janë përgjegjësi e Muratit dhe Kryeinspektorit Hekuran Nikçi.

“Ligji për pagën minimale nuk është zbatuar për fajin e Muratit dhe Nikçit. Ata nuk kanë qenë në gjendje të veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore. Kush i ka ndaluar?” – ka deklaruar Bajrami.

Në një postim shtesë, Bajrami ka bërë të qartë se nuk do të diskutojë më për këtë çështje, duke përfunduar reagimin e saj me fjalët: “Ndërrova kanal, mos më shkruani më.”

Ky reagim ka nxitur debat të ri për menaxhimin e politikave ekonomike nga qeveria aktuale, veçanërisht për vonesat në zbatimin e pagës minimale, një çështje që ka ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e shumë qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP