Afrim Muqiqi viziton fëmijët me aftësi të kufizuara në shoqatën “Hareja” në Rahovec
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila shënohet më 3 dhjetor, Shoqata “Hareja” në Rahovec ka organizuar një aktivitet të veçantë për fëmijët që trajtohen në këtë qendër.
Shoqata, e licencuar nga Ministria e Drejtësisë, ka një histori të gjatë të ofrimit të shërbimeve sociale dhe rehabilituese për këtë kategori të ndjeshme. Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara, fëmijët do të kenë mundësinë të takohen me personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, përfshirë muzikën dhe sportin.
Një nga momentet më të pritura është vizita e këngëtarit të mirënjohur Afrim Muqiqi, i cili do të jetë i pranishëm në qendrën e shoqatës më 3 dhjetor, të martën, në ora 13:00. Afrim Muqiqi, i njohur për mbështetjen e tij ndaj kauzave humanitare, ka kontribuuar edhe më parë për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke dëshmuar solidaritet dhe përkushtim të veçantë.
Shoqata “Hareja” fton të gjithë përfaqësuesit e mediave që të jenë të pranishëm gjatë kësaj vizite, për të ndarë me publikun emocionet dhe mesazhet frymëzuese të këtij aktiviteti. /Kosova.info/
