Gratë greviste refuzojnë takimin me deputetë të Kuvendit
Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se janë kategorikisht kundër që të dialogojnë me deputetët, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
“Keni thënë nga Kuvendi se ka shumë gjëra me prapavijë politike sepse ne kemi pasur 275 euro dhe kemi kërkuar 400 e 550 euro, teksa nuk keni bërë asgjë. Marre për të gjithë Kuvendin e Kosovës. Ne kemi besuar dhe besojmë në ligj dhe tani na nevojitet raporti i Inspektoratit të Punës dhe ne kemi qenë gjithçka në rregull me ligjin, kurse ju jeni ata që na keni qitur nga holli i Kuvendit, ju jeni ata që keni thyer ligjin e grevës”, i tha Azemi deputetes Duda Balje.
Ndërsa Duda Bale, nga ana e saj, tha se do ta ftojnë Avokatin e Popullit për të sqaruar nëse është bërë shkelje e të drejtave të njeriut.
“Na kemi për ta thirrur Avokatin e Popullit për ta konstatuar nëse është bërë shkelja e të drejtave të njeriut, kështu është proceduara e Komisionit për të Drejtat e Njeriut”, tha ajo, derisa shtoi se ajo pranon përgjegjësinë si Kuvend, si deputete e Kuvendit të Kosovës, asgjë më tepër.
