AKP mban mbledhje, MSh bëhet me dy depo qendrore të barnave
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka dhënë pëlqimin për bartjen e dy pronave të ndërmarrjes shoqërore “Jedinstvo” për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë, për përdorim si depo qendrore të barnave.
“Gjatë mbledhjes, Bordi i AKP-së aprovoi Raportin e Komisionit Vlerësues të menaxhmentit të AKP-së, i cili paraqiti progresin gjatë periudhës së tremujorit të tretë të vitit 2024. Po ashtu, u miratuan listat përfundimtare të punëtorëve që do të përfitojnë 20%-in e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi i 10 ndërmarrjeve shoqërore ose aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, përkatësisht: NSh “Peko” Mitrovicë; NSh KB “Novobrda” Gjilan; NSh KB “Baran” Pejë; NSh KB “Bujku” Prishtinë; NSh “Përparimi” Prishtinë; NSh “Enti për Përparimin e Amvisërisë” Prishtinë; NSh “Centrotekstil” Prishtinë; NSh “Stacioni i Veterinarisë” Gjakovë dhe NSh “Shipad” Prishtinë”, njofton AKP.
Bordi shqyrtoi dhe miratoi Raportet rekomanduese të Divizionit të Shitjes Direkte, ku u miratuan 20 raste që plotësojnë kriteret për trajtim sipas procedurës së shitjes dhe u refuzuan 13 raste të tjera.
