Sekretari i FRLDK-së denoncon keqpërdorim: Ministria e Bujqësisë i ka dhënë 100 mijë euro vëllait të deputetes Fitore Pacolli
Sekretari i Forumit të Rinisë së LDK-së, Egzon Pacolli, ka ngritur shqetësime për një grant prej 100 mijë eurosh që Ministria e Bujqësisë i ka dhënë kompanisë ALDA FARM RIA Sh.p.k., në pronësi të Blerim Pacollit, vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Sipas tij, kontrata për këtë grant është nënshkruar më 16 korrik 2024, ndërsa kompania është regjistruar në ARBK vetëm katër ditë më herët, më 12 korrik 2024.
Pacolli ka shprehur shqetësimin se shumë bujq e fermerë në Kosovë kanë mbetur pa përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa këto grante po shkojnë në duart e personave të lidhur me pushtetin. Ai ka kërkuar hetim nga Prokuroria për këtë rast dhe raste të tjera të mundshme të keqpërdorimit të buxhetit të shtetit.
“Qysh bre Fitore, 100 mijë euro për vëllanë? A duhet të kesh motër kryetare të Komisionit për Bujqësi për të fituar grante?”, ka pyetur ai në reagimin e tij. /Kosova.info/
