Haxhiu në Turqi viziton shërbimin korrektues, diskuton për menaxhim më të mirë të burgjeve
Në përfundim të vizitës zyrtare, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Republikës së Turqisë.
Gjatë kësaj vizite, Haxhiu u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Paraburgimit të Turqisë, Yavuz Yildirim. Takimi u fokusua në diskutime për reformat dhe praktikat më të mira në menaxhimin e sistemit të burgjeve dhe rehabilitimin e të burgosurve.
“Në kuadër të vizitës, ministrja Haxhiu u njoh me detajet e funksionimit të këtij sistemi dhe praktikat që autoritetet turke zbatojnë për menaxhimin e institucioneve të tyre”, u theksua në njoftimin e ministrisë.
Gjithashtu, ministrja Haxhiu vuri në dukje arritjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), si ngritjen e infrastrukturës ligjore, krijimin e njësive të specializuara brenda institucioneve korrektuese, themelimin e Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta dhe zgjerimin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Ajo theksoi domosdoshmërinë e rritjes së sigurisë përmes pajisjeve teknologjike të avancuara dhe përmirësimit të aftësive profesionale të stafit me trajnime për situatat emergjente dhe për përcjelljen e të burgosurve.
Ministrja gjithashtu vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Teknologjisë së Informacionit, ku u informua nga afër për menaxhimin e databazave dhe monitorimin e sistemit të drejtësisë.
Në përfundim, ministrja Haxhiu nënvizoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke promovuar shkëmbimin e përvojave dhe trajnimeve me Turqinë në menaxhimin e sistemit korrektues dhe të Teknologjisë së Informacionit, me qëllim të rehabilitimit dhe risocializimit të të burgosurve në shoqëri.
