Ambasadori Hovenier i shpalosi letrat, veprimi i Qeverisë pa koordinim me aleatët do të “shpërblehet” me ndëshkim

Mesazhi i ambasadorit amerikan Hovenier, i cili thotë se “nuk duhesh të urinosh para derës së klubit ku dëshiron të hysh”, nga njohësit e zhvillimeve politike në vend po komentohet dhe vlerësohet si një goditje paralajmëruese dhe shqetësuese për lidershipin e shtetit të Kosovës, nga fakti se kjo është vërejtja e dytë serioze pas asaj të ambasadores Tracey Ann Jacobson e cila ju pati thënë hapur liderëve politik të Kosovës, që të mos e dhinë punën. Pra, kjo është edhe një vërejtje e dytë e cila lidershipit politik të Kosovës i vjen nga aleati më i madh, dhe më besnik i Kosovës ShBA, shtet ky i cili ka prirë në të gjitha proceset për çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

Nëse politikanët kosovar në pushtet nuk e deshifrojnë dhe kuptojnë drejtë mesazhin amerikan, pasojat sipas analistëve mundë jenë serioze, si në rrafshin politik dhe diplomatik ndërkombëtar, por edhe në aspektin e bashkëpunimit strategjik me ShBA-të.

Kelmendi: Të konsultohemi dhe koordinohemi në çdo hap me aleatët e shtetit të Kosovës

Profesori Muhamet Kelmendi, njohës i thellë i zhvillimeve politike para dhe pas luftës në procesin e shtet ndërtimit të Kosovës thotë se Prishtina (pra Kosova) kërkohet të koordinohet shumë afër me ShBA-të, sepse pozita e Kosovës është keqësuar dukshëm në kuadër të BE-së dhe vetë para mikut tradicional, ShBA-ve.

“ShBA nuk është në qëndrimet e njohura, kur bllanko ka pranuar Prishtinën. Tash po bënë politikë të dyfishtë. Kosova ka pranuar planin evropian për zgjidhjen e raporteve me shtetin serb. Serbia është kundër. Natyrisht se Kosova ka ndërmarrë hapa mbi bazën kushtetuese për të shtrirë sovranitetin e shtetit kudo në Republikë, por këtej nuk është koordinuar me ShBA-të”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Deklarata e ambasadorit të ShBA-së Prishtinë z. Hovenier është shumë e rëndë, kur ai tha: “Nuk duhet të urinosh para derës së klubit ku dëshiron të hysh”.

“Kjo deklaratë është shumë e rëndë. Është thirrje alarmante për Prishtinën. Në fakt deklarata nuk është krejtësisht e qartë. Nuk ka qartësi pse u deklarua. ShBA-të kërkohet t’ia thonë qartë Prishtinës qëndrimet dhe të kërkojnë zbatimin e tyre. Ndoshta, nuk respektohen te gjitha, por ato themeloret kërkohet të koordinohen me ShBA-të nga Prishtina”, potencoi Muhamet Kelmendi. Ai tërheq vërejtjen se deklarimi i ambasadorit, ndonëse indirekt dhe pa qartë, ka një peshë tepër të rëndë paralajmëruese. “Prishtina po urinon para klubit”. Me këtë thuhet se Prishtina është kundër BE-së dhe vetë ShBA-ve. Edhe më ashpër u shpreh vite më parë ambasadorja Tracey Ann Jacobson kur ajo tha: “Mos e dhini punën”. Pra, këto janë qortime serioze”, thotë Muhamet Kelmendi.

Ai jep edhe propozimin e vetë se çka duhet bërë Kosova për t’i dalë përballë mesazhit të mikut amerikan.

“Prishtina kërkohet që të ndalet nga zbatimi i qëndrimeve të shtetit sovran pa koordinim me ShBA-të. Kjo është ajo që kërkohet. Me miqtë koordinohen aktivitetet. Ndërsa, me armiqtë nuk ka koordinim. Veç gjuhës politike me armiqtë është edhe gjuha e forcës. Në këto dy anë kërkohet koordinim më miqtë e Kosovës. Është mirë që nuk është Kosova e vetme”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Burjani: Kritikë e ashpër miqësore amerikane, për vetëdijesim dhe përmirësim të gabimeve

Për analistin politik Blerim Burjani, sado që kritika e ambasadorit Hovenier është e rëndë dhe i trajton politikbërësit kosovar si aspak serioz, thotë se ajo kritikë është kërkesë miqësore për përmirësim dhe vetëdijesim, që në proceset që kemi përpara, të ketë një koordinim shumë të afërt me miqtë ndërkombëtar, ShBA dhe BE.

“Është kërkesë për vetëdijesim, thirrje për bashkëpunim, koordinim me miqtë e saj nga ana e Kosovës. Goditje të ShBA-së dhe të BE-së për Kurtin janë bërë tërë kohën. Kjo ka ndodhur sepse Kurti ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë në mënyrë të njëanshme, përderisa prapa koordinimit për zbatim fshehët politika sipas të cilës Kosova akoma nuk është e pavarur për t’i zbatuar në mënyrë krejt të pavarur vendimet dhe marrëveshjet, vetëm për vetëm. Pra kjo politikë mbetet e njëjtë që nga koha e viteve 1999, pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë sepse Kosova ende trajtohet dhe realisht është shtet me pavarësi të kufizuar”, tha analisti politik Blerim Burjani.

Kjo sipas Burjanit është një arsye pse akoma në vendimet e mëdha Kosova nuk do të duhet të vepronte një anshëm, sepse sipas faktorit ndërkombëtar, nuk mundet e as nuk guxon të ndodhë për shkak se edhe masat e sanksionet janë prapa.

“Pra Kosovës në njërën anë i thonë ju jeni të pa varur dhe ne e njohim sovranitetin dhe shtetin e Kosovës, e në anën tjetër, në disa fusha nuk mund të nxirrni vendime e as të zbatoni vendime apo marrëveshje pa u marr vesh qysh me ia bërë kësaj pune. Kosova është shtet i aleatëve të saj, dhe se duhet të ketë së paku partneritet të veçantë me ShBA dhe BE”, tha analisti Blerim Burjani. /Kosova.info/

Go to TOP