Maqedonci për Afrim Bunjakun: Heronjtë si ai mbesin të skalitur përgjithmonë në memorien e popullit dhe historinë e atdheut

Sot janë bërë një vit nga vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se heronjtë si Afrim Bunjaku mbesin të skalitur përgjithmonë në memorien e popullit dhe historinë e atdheut.

“Sot një vit më parë ra heroikisht në krye të detyrës Rreshter Afrimi Bunjaku. Heronj si Rreshter Bunjaku pavarësisht shkëputjes fizike nga ne, shpritërisht e mendërisht si në gur mbesin të skalitur përgjithmonë në memorien e popullit dhe historinë e atdheut tonë.”

Maqedonci ka shkruar se heroizmi i Afrim Bunjakut kapërcen momentalen duke u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë e sakrificës.

“Heroizmi i Afrimit kapërcen momentalen, për t’u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë, sakrificës që populli ndër breza nuk hezitoi ta ndërmarr, edhe kur kjo do të thoshte flijim i jetës. Në shenjë nderimi për këtë hero, në përvjetorin e shkëputjes fizike nga jeta të Rreshter Afrimit, së bashku me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra e ambasadorë, bëmë homazhe para varrit të rreshterit në Samadrexhë të Vushtrrisë. Figura të tilla nuk vdesin, dhe mirënjohja për të do të jetoj bashkë me popullin. Lavdi heroit Afrim Bunjaku!”

Go to TOP