Lufta e Gnyotit për drejtësi

Pas seancës përfundimtare, Gjykata e Apelit në Beograd do të vendosë së shpejti për ekstradimin e aktivistit bjellorus Andrew Gnyot. I përballur me akuzat për shmangie të taksave në Bjellorusi, Gnyot thekson se akuzat janë të motivuara politikisht për shkak të kritikave të tij ndaj regjimit të Aleksandër Lukashenkos. Aktivistët po protestojnë kundër ekstradimit të tij, duke paralajmëruar se jeta e tij në Bjellorusi do të ishte e rrezikuar.

Ende është e pasigurt nëse Andrew Gnyot, gazetar dhe regjisor bjellorus, do të ekstradohet nga Serbia në Bjellorusi. Gjykata e Apelit në Beograd do të marrë vendimin në javët e ardhshme, pasi sot u mbajt seanca përfundimtare. Gnyot ka kërkuar nga gjykata që t’ia ruajë jetën.

“Pres një vendim pozitiv, pres drejtësi. Bjellorusia është një burg. Drejtësia dhe e vërteta janë në anën time,” tha Gnyot pas dëgjimit, duke shprehur mirënjohjen për mbështetje ndërkombëtare që ka marrë.

“Nuk kam nevojë të fsheh asgjë. Jam i lumtur që njerëzit dëshirojnë të luftojnë për drejtësi me mua, sepse kjo është e rëndësishme, kjo është një çështje e drejtësisë dhe e vërtetës,” theksoi ai.

Aktivisti bjellorus u arrestua në aeroportin e Beogradit në tetor 2023 në bazë të një fletëarresti të shpallur nga Bjellorusia, i cili më vonë u hoq. Nga 5 qershori, ai është në arrest shtëpie. Gjykata e Lartë në Beograd ka vendosur dy herë që ekzistojnë kushte për ekstradimin e tij, por procedura vazhdon në Gjykatën e Apelit. Minsk kërkon ekstradimin e tij për akuzat për shmangie të taksave, të cilat ai i mohon, duke pretenduar se bëhet fjalë për ndjekje politike.

Avokati i gazetarit bjellorus, Fillip Sofijaniq, i tha gazetarëve se nuk do të ketë një seancë të re, dhe se “nuk e di afatin e saktë” në të cilin Gjykata e Apelit do të japë një vendim, por pritet që kjo të ndodhë brenda tre deri në katër javësh.

“Presim që Gjykata e Apelit të anulojë vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd. Ky është për ne rezultati i vetëm logjik ose të ndryshojë vendimin, konfirmimi i këtij vendimi do të ishte një katastrofë nga ana profesionale dhe njerëzore,” tha ai para gjykatës.

Mbështetje për Gnyot ofrojnë shumë artistë evropianë dhe shoqëria civile e Serbisë, ndërsa përpara Gjykatës së Apelit janë mbajtur protesta nga qytetarët dhe aktivistët me kërkesën që ai të mos ekstradohet. Aktivistët, përfshirë ata nga Rusia dhe Bjellorusia, paralajmërojnë për regjimin represiv të Aleksandër Lukashenkos, duke theksuar se Gnyot në Bjellorusi i kanoset burgu, tortura, madje edhe dënimi me vdekje. Prandaj, aktivistët shpresojnë që gjykata “të ruajë pavarësinë” kur të vendosë për Gnyotin.

Anja, një aktiviste nga Rusia, thotë se rastet politike kundër njerëzve që kundërshtojnë regjimet në Bjellorusi dhe Rusi janë të ngjashme dhe është e rëndësishme të reagojmë sepse regjimi bjellorus burgos ata që nuk e mbështesin Lukashenkon.

“Serbia dhe vendet e tjera demokratike evropiane nuk duhet të mbështesin këto veprime, sepse kështu kontribuojnë në rritjen e numrit të të burgosurve politikë. Për shumë të burgosur në Bjellorusi nuk dihet asgjë, dhe për këtë arsye, vendet demokratike nuk duhet të mbështesin këto regjime,” tha kjo aktiviste ruse që jeton në Serbi.

Presidenti i Asociacionit te Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, Zhelko Bodrozhiq, deklaroi në protestë se arrestimi i Gnyotit në Serbi është “një mesazh për të gjithë, dhe sidomos për ata që janë arratisur nga lufta në Rusi dhe Bjellorusi, që këtu nuk duhet të ndihen të sigurt”.

“Është e turpshme që Gjykata e Apelit duhet të vendosë për këtë, kjo që nga fillimi është dashur të refuzohet,” tha Bodrozhiq.

Lëvizja Evropiane në Serbi javën e kaluar i bëri thirrje të gjithë qytetarëve, organizatave joqeveritare dhe mediave të mbështesin luftën e Gnyotit “për jetën dhe lirinë”, duke theksuar se praktika e deportimeve dhe ekstradimeve që praktikon regjimi aktual serb është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe ligjet vendase.

Më parë, nga 22 deri më 25 gusht, u zhvillua një aksion ndërkombëtar mbështetjeje për Gnyotit në 34 qytete në 17 vende, ku qindra njerëz protestuan përpara ambasadave të Serbisë me mesazhin se aktivisti belorus duhet të lirohet.


Go to TOP